Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave – dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe një drejtori kompanie dhe vetë kompanisë “S.C.O” Sh.P.K., për “mashtrim në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës, zyrtari i lartë për Menaxhimin e Projekteve në Komunën e Suharekës, B.K. dhe mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i menaxherit të kontratës në projektin e njëjtë, E.Sh., në bashkëkryerje, dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik gjatë realizimit të kontratës për ndërtimin e disa rrugëve lokale në fshatin Reshtan, duke hartuar dhe nënshkruar raporte fiktive për punime që në fakt nuk ishin kryer.
Në këtë mënyrë, nga Komuna e Suharekës janë paguar 24,945.32 euro për punime që nuk përputheshin me kontratën, ndërsa sipas ekspertizës teknike, vlera reale e punimeve të realizuara ishte për 13,272.66 euro më pak.





