Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.M., F.T., E.M., F.M. dhe V.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në cilësinë e personave zyrtarë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, më datë 29.01.2021, në Mamushë, në cilësinë e personave zyrtarë – duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në bashkëkryerje i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër ose që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkelin të drejtat e personit tjetër, në atë mënyrë që i pandehuri S.M., në cilësinë e kryetarit të Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga vërshimet dhe shirat e rrëmbyeshëm në Komunën e Mamushës, ndërsa të pandehurit F.T., E.M., F.M.,dhe V.Sh., – si anëtarë të komisionit, përpilojnë Raportin mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe listën prej 169 fermerëve përfitues të mbështetjes financiare publike në shumën prej 416,874.77 €, me ç’rast 43 fermerë nga 169 sosh si fermerë përfitues, janë përfshirë në listën e përfituesve në kundërshtim me opinionin ligjor të MBPZHR-së – të datës 17.07.2018 dhe në kundërshtim me Vendimin për shlyerjen e njërit NIF (Numri Identifikues i Fermës), të cilët kanë përfituar mbështetje financiare në shumën prej 97,456.61 € si dhe 13 persona të tjerë të cilët ishin futur në listën e përfituesve pa qenë fare fermerë, me ç’rast këta të fundit kanë përfituar shumën prej 22,936.70 €, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 120,393.31 € (njëqind e njëzet mijë e treqind e nëntëdhjetë e tre euro e tridhjetë e një cent).