Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, si dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar (Gjermaninë), pas hetimeve disamujore dhe shkëmbimit të informacioneve me Autoritetet Gjermane, gjatë ditës janë kontrolluar 13 lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Vushtrri, ku janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshimtë (disa prej tyre në flagrancë), ka bërë të ditur përmes një komunikate Prokuroria Speciale.
Prokuroria ka bërë të ditur se bazuar në dyshimeve të mbledhura gjatë hetimeve, është ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar që të dyshuarit me inicialet: A.K., K.B., F.G., A.S., H.K., L.B., L.B., E.Z dhe H.B., në bashkëveprim me njëri tjetrin, me qëllim të përfitimit material në mënyrë të kundërligjshme, përmes sistemeve kompjuterike kanë komunikuar përmes e-maileve dhe telefonit me viktimat, kryesisht shtetas të huaj, të cilët i kanë mashtruar dhe më pas detyruar që përmes institucioneve mikro-financiare që operojnë në Republikën e Kosovës, të ju dërgojnë mjete financiare (para) në vlera të ndryshme.





