Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar nën dyshimin për tri vepra penale.
Siç ka bërë të ditur në një komunikatë për media kjo prokurori, Berishaj ishte ftuar edhe më herët për intervistim, por vetë ambasadori kishte kërkuar shtyrjen për shkak të angazhimit.
“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘Shpëlarja e parave’, ‘Shmangia nga tatimi’ dhe ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’. Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.





