Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar të shtunën se janë identifikuar dy serbët të cilët ishin parë në Komunën e Deçanit pak ditë para helmimit të mijëra qytetarëve të kësaj komune nga uji i pijes.
Në një njoftim për media, kjo Prokurori ka thënë se po punohet që të verifikohet nëse ata kishin lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në këtë komunë.
Identifikimin, bazuar në pamjet e ofruara nga kamerat e sigurisë, Prokuroria ka thënë se e ka bërë në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Ditë më parë për dy serbët për të cilët u raportua në vend, foli edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që deklaroi se ka njohuri për lëvizjen e tyre.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se, lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb, menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore të Pejës.