Intervistimin e kandidatëve për deputetë si pjesë të hetimit për vjedhje të votave, e ka paralajmëruar Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje e Prokurorisë së Shtetit, Laura Pula.
Ajo ka thënë të hënën se ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore të fillojnë me grumbullimin e informatave dhe provave relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor.
“Do të intervistohen të gjithë ata kandidatë të cilët ju kanë prekur votat dhe ju kanë shtuar votat. Nëse dikush del thotë që unë nuk jam fajtor për shtim të votave, atëherë duhet me dalë komisioneri i subjektit të tij konkretisht dhe të tregojë pse ja ka shtuar votat atij kandidati”, tha Pula, për “KosovaPress”.
Ajo ka theksuar se do të shqyrtohen të gjitha evidencat që i ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa u përket përgjegjësve në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Neve na interesojnë lista e librave, ku janë nënshkruar të gjithë komisionerët. Na intereson procesverbali i verifikimit të numërimit të votave ku nënshkruhet nga të gjithë komisionerët e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe ndër të tjera na intereson tani procesverbali i ri i rinumërimit për ta bërë krahasimin se sa vota më kanë marrë ty dhe t’i kanë qit ty”, tha Pula.
Ajo ka thënë po ashtu se manipulim i ngjashëm ka ndodhur edhe para 16 vjetësh.
“Vetëm në vitin 2010 kemi pasur një rast të tillë, ku pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas certifikimit të tyre, kemi hasur në mospërputhje të numrit të votave të kandidatëve, për çka, sa më kujtohet, diku kanë qenë 1500 persona të akuzuar për këto, në ato zgjedhje”, tha Pula.
Një ditë më parë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciativë ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
Kodi Penal në dy nene të tij parasheh burgim deri në pesë vjet për futjen e duarve në vota. Të hënën, KQZ-ja ka marrë vendim që të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet e rregullta, pasi nga rinumërimi i pjesshëm janë shpërfaqur manipulime të mëdha të votave gjatë numërimit, më së shumti në Prizren./KOHA
