Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur sot hetimet në lidhje me dyshimet për helmimin e disa banorëve të fshatrave të Deçanit.
Të dielën, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, u paraqitën qytetarë të shumtë me simptoma të njëjta – të helmimit.
“Prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Me ç’rast prokurori i shtetit ka autorizuar edhe institutin e shëndetit publik të marr disa mostra për të bërë analizat dhe jemi në pritje deri në këto momente të rezultateve nga laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Analizat fiziko-kimike dhe bakterologjike është menduar të kryhen deri sot pasdite, por siç tha drejtoresha e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Pejë, Adnora Nurboja, mostrat e ujit do të analizohen deri të mërkurën në mëngjes.
Mostrat e ujit, sipas saj, janë marr në krojet publike në fshatrat Prejlep, Irzniq, Gramaqel, Baballoq, Rastavicë dhe Gllogjan, të cilat furnizohen me ujë nga i njëjti burim.
Nurboja tha se mostrat e ujit do të dërgohen për analiza tjera edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Prishtinë.
Ndërsa, ekipi i epidemiologjisë së Institutit në Pejë, sipas Nurbojës, gjatë ditës së hënë ka bërë hulumtimin aktiv të terrenit, duke marrë për analiza edhe mostra të fecesit nga pacientë me simptoma helmimi.