LAJME

Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që vrau shokun në pabesi

Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që vrau shokun në pabesi
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Shtator 2025, 11:15

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.B., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 11.08.2025, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par. 1 nënpar. 1.4 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
 
Sipas aktakuzës, me datë 10.08.2025, rreth orës 20:30min, në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., me dashje dhe në mënyrë dinake duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., të njëjtin e privon nga jeta.

Prokuroria bën të ditur se ngjarja ka ndodhur pas organizimit të një përleshjeje mes qenve, ku pas përfundimit të saj, viktima ishte duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

“I pandehuri e ka ndjekur atë dhe më pas, duke përdorur një mjet të mprehtë – thikë, e ka sulmuar papritur viktimën duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të autopsisë të datës 22.09.2025, lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës. Gjithashtu, i pandehuri E.B., ka poseduar pa leje valide armën e ftohtë – thikën me gjatësi tehu prej 10 cm dhe dorezë 12 cm, me të cilën i ka shkaktuar vdekjen viktimës H.Sh”, thuhet në njoftim.
 
Me këto veprime i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
 
Sa i përket veprës penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” nga neni 346 i KPRK-së, Prokuroria thotë se rasti është duke u trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm, në kuadër të procedurave hetimore përkatëse, ndaj dy të dyshuarve tjerë, të cilët kanë organizuar luftën me qenë.
 
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet, të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika