Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht për Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, ka zgjeruar hetimet lidhur me grupin e dytë të të dyshuarve.
“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të zgjerimit të hetimeve, janë intervistuar 28 të dyshuar dhe 6 dëshmitarë. 5 prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë. 4 prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’ nga neni 216 të KPRK-së, si dhe 1 person në cilësinë e koordinatorit të KKZ-së për Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 të KPRK-së” – thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prizren thekson se brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Tutje, Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës theksojnë se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
