Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka intervistuar një person lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e serbit Millan Vukashinoviq, e cila sipas Policisë së Kosovës dyshohet se u bë më 1 nëntor nga xhandarmëria serbe në Leposaviq. “Mund të konfirmojë se një person i afërm me viktimën është intervistuar nga Prokuroria për këtë rast dhe se Prokuroria në bashkëpunim me policinë po heton rastin”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni. Ndërsa avokati serb Ivan Niniq ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe dhe grupit të Millan Radojçiqit, për këtë rast.
Niniq përmes një statusi në rrjetet sociale ka thënë se në emër të nënës së Vukasinoviqit ka ushtruar padinë. Sipas tij për viktimën nuk dihet asgjë që nga 1 nëntori.





