Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje për aksionin e koduar “Kufiri 2”, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 136 kilogramë substancë narkotike e dyshuar si marihuanë dhe janë ndaluar tre persona.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, operacioni është zhvilluar të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes në Doganaj të Kaçanikut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërkaq, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast gjendet në arrati. Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor, ndaj të cilit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Ata dyshohet se kishin për qëllim transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e marihuanës nga Shqipëria, përmes territorit të Kosovës dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave të dyshuar.
Po ashtu, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do t’i paraqesë gjykatës kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.