Në prag të 28 Nëntorit, në Xhaminë e Krumës së Hasit është zbuluar një pllakë përkujtimore, në shenjë respekti për rolin e kësaj xhamie dhe qendrës së saj kulturore gjatë luftës së Kosovës, në vitet 1998-1999.
Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, gjatë luftës kjo hapësirë shërbeu si strehë, vendpushim dhe pikë furnizimi për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga vise të ndryshme.
Në ceremoninë e zbulimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, Bashkësisë Islame, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, si dhe ish-ushtarë, veteranë, imamë, mjekë e aktivistë nga Hasi i Kosovës dhe Shqipërisë.
Pllaka u vendos nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Has, ndërsa në përfundim të aktivitetit u ndanë edhe mirënjohje për kontributin e dhënë.