Prokuroria Speciale nuk ka ngritur aktakuzë kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili po hetohet në Kosovë për shkak të implikimit të tij në një skandal financiar që prek tri shtete.
Nol Nushi, anëtar i Kryesisë së PSD-së tha sot se kanë informacione se Prokuroria tashmë ka ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt. Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi i tha Gazetës Express se “nuk ka aktakuzë” të ngritur.
Paraprakisht, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se “s’mund të të them asgjë”.
Nushi, pas një aksioni që PSD-ja e zhvilloi te objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme, tha se Prokuroria po e heton Berishajn “për pastrim parash, shmangie të tatitimit dhe fshehje të biznesit”.
Në dy kohë, mediat në Slloveni dhe Kroaci kanë raportuar për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skandal të madh financiar që përmban miliona euro transaksione nëpër banka dhe qindra mijëra të bartura cash mes Kosovës, Malit të Zi e Sllovenisë.
Në Prokurorinë Speciale qëndrojnë dy kallëzime penale për këtë skandal dhe disa hetime kanë nisur. Fillimisht, Prokuroria Speciale pati nisur një hetim preliminar për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte dorëzuar aty një kallëzim penal.
Hetuesit e Policisë së Kosovës së fundmi kanë ngritur po ashtu një kallëzim penal kundër ambasadorit Berishaj, të cilin e kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një konferencë për media konfirmoi se nuk janë duke e konsideruar shkarkimin e Berishajt.
“Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve të fjalëve. Ambasadori shkarkohet në momentin kur ka arsye faktike se pse ambasadori duhet të shkarkohet. Deri në këtë moment nuk kam asnjë informacion të vetëm që shkelje të tilla kanë ndodhur”, tha Gërvalla.
Ajo tha se është në pritje të disa informacioneve zyrtare për këtë rast.