Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: personit juridik “D.C” – Sh.P.K., dhe H.E., person përgjegjës i personit juridik, për shkak të veprës penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit nga neni 338 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, “të pandehurit: personi juridik “D.C.,” Sh.P.K., dhe H.E., si person përgjegjës në kuadër të personit juridik, me datë 17.09.2021, në fshatin Piranë- Komuna e Prizrenit, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, në mënyrë të kundërligjshme kanë shfrytëzuar jashtë mase burimet natyrore dhe në kundërshtim me ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke mos shfrytëzuar resurset minerare ashtu siç parashihet me standardet e pranuara dhe projektet e parapara, në atë mënyrë që ditën kritike me përdorimin e mjeteve mekanike janë hasur duke shfrytëzuar resurset minerare të rërës dhe zhavorit në sasi prej 174.00 m3, pa poseduar licencë apo leje adekuate nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale”, njofton prokuroria.





