Prokuroria Themelore në Prizren, përmes zyrës së saj për infomim, ka njoftuar se U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me mbështetjen e OSBE-së ka organizuar tryezë diskutimi me prokurorë nga kjo prokurori, me gjyqtarë të rajonit të Prizrenit, përfaqësues të policisë për rajonin e Prizrenit si dhe me avokatë, me qëllim të bashkëbisedimit rreth bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e çështjeve penale.
Gjatë këtij takimi, në fjalën e tij, U.D. Kryeprokurori Petrit Kryeziu, theksoi se takimet e tilla janë një mundësi e rëndësishme për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta duke përmirësuar komunikimin, standardizuar klasifikimin dhe ndjekjen penale të veprave penale, si dhe për të eksploruar mënyra për të përmirësuar menaxhimin e çështjeve dhe mbështetjen për viktimat.
Më tutje U.D. Kryeprokurori Kryeziu, theksoi se duke mbledhur të gjithë akterët kyç, synojmë të krijojmë përgjigje më kohezive dhe efektive ndaj krimit. Ai, gjithashtu përmendi sfidat me të cilat ballafaqohet prokuroria në baza ditore për trajtimin e veprave penale të ndryshme duke adresuar edhe vetë kritika.
Po ashtu, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren znj. Shpresa Emra, Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren kolonel Faton Alija dhe Kryetari i OAK dega në Prizren z. Blerim Mazreku, gjatë fjalës së tyre përmendën punën e institucioneve përkatëse, sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë punës së përditshme në luftimin e kriminalitetit, si dhe me qëllim të avancimit adresuan edhe shqetësime konstruktive për prokurorinë. Të pranishëm, gjykatës, prokurorë, avokatë dhe zyrtarë policorë, ishin pjesëmarrës aktiv në këtë tryezë diskutimi, thuhet në njoftim.