Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me policinë, me datë 21.04.2025 ka arrestuar të dyshuarin A.H., dhe për të njëjtin ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.
A.H., ishte arratisur nga Republika e Kosovës që nga viti 2021, dhe ndaj tij kishte urdhër-arrest dhe letër-rreshtim (vendor e ndërkombëtar). I njëjti, është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 77, par.1, “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 par.1 dhe “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 dhe nenin 77, par.1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës i pandehuri, A.H., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete dhe që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e analistit kreditor në njërin prej institucioneve Mikro-Financiare në Prizren, në vazhdimësi prej periudhës kohore 06.10.2016 e deri me datë 11.12.2019, duke rregulluar dokumentacionin për aplikim për kredi të dyzet (40) personave/të dëmtuarve, të njëjtëve paraprakisht ua keqpërdor të dhënat personale dhe kundërligjshëm ua përvetëson të hollat, të cilat i kishin marrë përmes kredive, i cili në total, kundërligjshëm dyshohet se ka përvetësuar shumën e të hollave prej 150,660.61€ (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar të dëmtuarve dëme të konsiderueshme pasurore. Më këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.





