Prokuroria e Pejës sqaron veprimet institucionale para tragjedisë: Viktima kishte urdhërmbrojtje për gjashtë muaj – “ajo kishte kërkuar të kthehej në shtëpi”
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditura veprimet institucionale të ndërmarra pas kërkesës së Arlinda Zekajt për zbatimin e një urdhri gjyqësor dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, duke njoftuar se kishte kërkuar vlerësimin urgjent të rastit nga institucionet kompetente dhe kishte iniciuar hetime për përgjegjësitë e mundshme të zyrtarëve.
Sipas reagimit të Prokurorisë, më 22 tetor, Kryeprokurorja kishte pranuar një kërkesë nga tani e ndjera Arlinda Zekaj, në të cilën ajo kishte paraqitur pretendimet për trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e një urdhri gjyqësor.
Pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja e kishte adresuar çështjen te Policia e Kosovës, Gjykata Themelore në Pejë, Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendra për Punë Sociale dhe Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, duke kërkuar vlerësim urgjent të situatës, verifikim të pretendimeve për lëshime eventuale dhe ndërmarrjen e veprimeve brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion.
Njëkohësisht, ishte iniciuar rast për të hetuar nëse në veprimet apo mosveprimet e personave zyrtarë të përmendur kishte elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas dokumentacionit të referuar nga Prokuroria, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë vendim që ish-bashkëshorti i Zekajt ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë. Për zbatimin e urdhrit dhe njoftimin e Gjykatës për zbatimin ose pengesat eventuale ishte përgjegjëse Policia e Kosovës.
Prokuroria bën të ditur se, kur Zekaj kishte kërkuar zbatimin e vendimit dhe kthimin në shtëpi, Policia e kishte njoftuar prokurorin kujdestar. Pas vlerësimit të rrethanave, prokurori kishte konsideruar se kthimi i menjëhershëm mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e saj.
Për këtë arsye, prokurori kishte kontaktuar vëllezërit e Zekajt dhe kishte udhëzuar që ajo të shkonte te familjarët. Me kërkesën e saj, ishte përpiluar një shkresë zyrtare ku ishin dokumentuar arsyet e këtij vendimi. Zekaj kishte pranuar të qëndronte te vëllezërit, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.
Sipas Prokurorisë, pas një vlerësimi profesional të rrezikut, ishte vendosur që një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë gjatë kthimit të saj. Për këto veprime ishte përpiluar procesverbal më 22 tetor, ndërsa ishte kërkuar edhe njoftimi i gjyqtarit që kishte nxjerrë vendimin.
Ndërkohë, më 23 tetor, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Më 25 tetor, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje në shtëpinë e Zekajt. Në stacionin policor ishin shoqëruar ajo dhe ish-bashkëshorti i saj, ndërsa ndaj këtij të fundit ishte iniciuar procedurë për mospërfillje të gjykatës dhe ishte ndaluar për 48 orë.
Gjatë trajtimit të rastit, Zekajt i ishte ofruar mundësia të qëndronte në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.
Rreth orës 21:00, ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi. Pak minuta pas kthimit, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.
Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, për të përcjellë situatën dhe për të ndërmarrë veprimet fillestare hetimore.
Prokuroria ka bërë të ditur se Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e A.S., i cili ende nuk është arrestuar.
Në reagim, Prokuroria Themelore në Pejë ka shprehur keqardhje të thellë për humbjen e jetës së Arlinda Zekajt dhe ngushëllimet për familjen e saj, duke theksuar se nevojitet një hetim i plotë, objektiv dhe profesional për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit dhe për të vlerësuar përgjegjësitë eventuale të personave të përfshirë.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.