LAJME

Prokuroria e Beogradit ankohet kundër vendimit për lirimin e Radoiçiqit

Prokuroria e Beogradit ankohet kundër vendimit për lirimin e Radoiçiqit
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Tetor 2023, 15:52

Prokuroria e Lartë në Beograd parashtroi ankesë të premten kundër vendimit të gjyqtarit i cili e hodhi poshtë kërkesën e saj për caktimin masës së paraburgimit ndaj Millan Radoiçiqit në fillim të kësaj jave, konfirmoi ajo për Radion Evropa e Lirë.

Prokuroria bëri ankesë për shkak të rrezikut të arratisjes së Radoiçiqit, pas sulmit të armatosur më 24 shtator në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, përgjegjësinë për të cilin e mori vetë Millan Radoiçiq.

Prokuroria e Lartë Publike tha për REL-in se ankesa është parashtruar “për shkak të gjendjes së pasaktë dhe paplotë faktike”.

“Apeli kërkon ndryshimin e vendimit të marrë dhe caktimin e paraburgimit për të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e mori përgjegjësinë për sulmin rreth pesë ditë më vonë.

Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë.

Megjithatë, ai u lirua një ditë më vonë pasi gjykatësi refuzoi ta paraburgoste.

Në ankesën e 5 tetorit, Prokuroria më e lartë serbe kërkoi ndryshimin e vendimit dhe paraburgimin e Radoiçiqit, sipas televizionit serb N1.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika