Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS-it, për të cilët ekziston dyshimi se nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë të premten, rasti është duke u trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm, ndërsa dyshohet se me këto veprime mund të jetë kryer vepra penale “Mashtrimi”.
Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë, përfshirë edhe veprime hetimore ndaj zyrtarëve të KEDS-it që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) disa ditë më parë bëri të ditur se pas një hulumtimi ka dalë se 87% e njehsorëve të rrymës e kanë kohën gabimisht.
Pas kësaj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit krijoi një komision për t’u marrë me këto gjetje. Gjatë ditë së djeshme, kjo ministri bëri të ditur se pas verifikimit të disa prej njehsorëve elektrikë të konsumatorëve janë zbuluar njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë, po ashtu devijime në datë 2-3 ditësh krahasuar me kohën reale. Po ashtu edhe devijime rreth 10-11 orë me kohën reale.