Projektligji i përvitshëm i Senatit Amerikan për mbrojtje do ta shtojë Kosovën në listën e shteteve të Evropës Lindore që kualifikohen për stërvitje ushtarake të SHBA-së, shkruan “defensenews”.
Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2024, për të cilin Senati planifikon ta fillojë debatin këtë javë, e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s. Një gjë e tillë ia mundëson Kosovës të rimbursohet për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s.
“Komiteti lavdëron përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për ta përkrahur Republikën e Kosovës teksa punon në zhvillim dhe përmirësim të forcave të saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizmin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride”, thuhet në një raport të komisionit, që shoqëron projektligjin.





