Tri komuna të rajonit të Prizrenit kanë njoftuar se janë përfituese të Grantit të Performancës Komunale për vitin 2025. Kësisoj Prizreni, Suhareka dhe Dragashi do të përfitojnë gjithsejtë 3.4 milionë euro nga ky grant.
Komuna e Prizrenit do të përfitojë mbi dy milionë euro.
“Mjetet e fituara do të përdoren për të financuar projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, duke përfshirë: Agjendën e gjelbër – energji më efikase dhe qëndrueshmëri mjedisore dhe Gjithëpërfshirjen – projekte që promovojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka theksuar se kjo komunë do të përfitojë 931,381.23 euro nga Granti i Performancës.
Sipas tij, ky sukses, vjen si rezultat i punës së mirë në të gjitha drejtoritë komunale dhe sektorët tjerë në vitin 2023.
“Kjo shumë do të shërbej për investime në vitin 2025, natyrisht në shërbim të qytetarëve”, është shprehur Muharremaj, raporton Telegrafi.
Ndërsa Komuna e Dragashit ka njoftuar se kjo është hera e tretë radhazi që përfiton Grantin e Performancës nën udhëheqjen e kryetarit Bexhet Xheladini me ekipin e tij qeverisës, dhe me punën e përbashkët me Kuvendin e Komunës dhe administratën komunale.
Sipas njoftimit shuma e grantit është 435,564.82 euro.
“Nga këto mjete do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Komunës sonë, përmes projekteve të shumta të cilat do të realizohen vitin që po vjen”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit. /Telegrafi/