Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës do të mbajë sot në Prizren takimin trepalësh të Avokatëve të Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjatë të cilit do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet tri institucioneve.
Aktiviteti do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfshijë një sesion diskutimi të fokusuar në bashkëpunimin ndërinstitucional për trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët.
Në kuadër të sesionit të parë, pjesëmarrësit do të diskutojnë për çështjet civile dhe familjare me element ndërkufitar, përfshirë martesat, regjistrimin civil, dokumentacionin personal, si dhe njohjen e akteve dhe vendimeve. Po ashtu, në fokus do të jenë roli i institucioneve të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtës për shëndet, mbrojtja e fëmijëve në situatë rruge dhe kategorive të tjera të cenueshme, si dhe bashkëpunimi në trajtimin e rasteve individuale që përfshijnë më shumë se një shtet.





