Komuna e Prizrenit është vlerësuar si njëra nga komunat më të suksesshme në përmbushjen e premtimeve zgjedhore në përputhje me treguesit e performancës komunale, sipas raportit të publikuar sot nga Instituti GAP dhe Helvetas, përmes Projektit për Decentralizim dhe Mbështetje Komunale – DEMOS, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia.
Raporti i titulluar “Ndërlidhja e premtimeve zgjedhore me treguesit e performancës komunale” analizon 800 premtime zgjedhore të dhëna në 14 komuna të Kosovës, duke i krahasuar ato me treguesit e Sistemit të Performancës Komunale (SPMK) të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Gjetjet kryesore të raportit janë:
- Vetëm 166 nga 800 premtimet (21%) kanë ndërlidhje të plotë ose të pjesshme me treguesit e SPMK-së;
- 634 premtime (79%) nuk kanë asnjë ndërlidhje me këta tregues;
- Prizreni, Obiliqi dhe Suhareka janë komunat me ndërlidhjen më të mirë ndërmjet premtimeve dhe performancës;
- Ndërsa komunat me ndërlidhjen më të ulët janë Vitia, Klina dhe Drenasi;
- 35 nga gjithsej 94 tregues të SPMK-së nuk janë përfshirë në asnjë nga premtimet zgjedhore të analizuara.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj, e ka vlerësuar këtë raport si një dëshmi e qartë për seriozitetin dhe përkushtimin e Komunës ndaj qeverisjes së mirë dhe realizimit të projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Me punë konkrete dhe të përkushtuar, Komuna e Prizrenit ka dëshmuar se është e angazhuar seriozisht në përmbushjen e premtimeve dhe në ofrimin e rezultateve të prekshme për zhvillimin lokal”, theksoi Totaj.
Për të gjithë të interesuarit, raporti i plotë mund të lexohet në këtë vegjëz.