Pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës denoncohen raste të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë, të cilat përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët, apo edhe familjarët e tjerë. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në Prizren, është vënë në dijeni edhe Prokuroria, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se këtë herë në rast janë përfshirë vjehrra (72-vjeçare) bashkë më djalin (54-vjeçar) një anë, dhe nusja (56-vjeçare) gruaja e djalit në anën tjetër. Kjo e fundit, viktimë e këtij rasti e ka denoncuar bashkëshortin dhe nënën e tij për dhunën që kanë ushtruar ndaj saj.
Në dëshminë e viktimës të dhënë në Polici, thuhet se vjehrra dhe burri i saj derisa ishin në gjendje të dehur, e kanë sulmuar fizikisht, duke e kapur për flokësh dhe përplasur përtokë.





