Drejtuesit e festivalit ndërkombëtar të teatrit në skena të hapura “Prizren Fest”, në një komunikatë për media, janë shprehur se edicioni i katërt i këtij festivali u përmbyll me një mbrëmje të jashtëzakonshme që shënoi kulmin e një jave të mbushur me performanca, reflektime dhe bashkëndjesi.
“Përkundër kushteve atmosferike që detyruan zhvendosjen e aktivitetit nga Teatri mbi Lum në sallën e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”, prania e madhe e publikut, që mbushi sallën përtej kapacitetit, dëshmoi edhe një herë dashurinë dhe përkushtimin e qytetarëve të Prizrenit ndaj artit. Mbrëmja finale e festivalit nisi me shfaqjen “Oranges and Stones”, e realizuar nga “Ashtar Theatre” nga Ramallah, Palestina. Një shfaqje pa tekst, e ndërtuar përmes veprimit fizik dhe muzikës origjinale, solli një rrëfim të fuqishëm për pushtimin dhe shpërnguljen — një metaforë e gjallë dhe prekëse e realitetit palestinez. Pas kësaj, në bashkëpunim me aktorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, u interpretuan “The Gaza Monologues”, zëri i të rinjve dhe të rejave nga Gaza. Këto rrëfime autentike, të mbushura me dhimbje, humbje, por edhe forcë shpirtërore dhe shpresë, sollën në skenë dëshminë e një populli që jetojnë në kushte të jo njrëzore, por që vazhdojnë të ëndërrojnë për një jetë normale dhe të lirë”, shkruan në komunikatë.
Sipas tyre, kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një ngjarje kulturore, por një akt i vetëdijshëm qëndrese dhe solidariteti.
“Me duartrokitje të gjata dhe emocione të thella, publiku i Prizrenit përshëndeti një festival që nuk kërkon të zbavisë, por të ndërgjegjësojë, të edukojë dhe të bëhet zë për ata që nuk dëgjohen. Prizren Fest 2025 përmbylli edicionin e tij me një mesazh të qartë: arti nuk mund dhe nuk duhet të jetë neutral përballë padrejtësisë. Në kohë kur shumë heshtin, artistët kanë përgjegjësinë të flasin. Këtë qëndrim e përfaqësoi fuqishëm edhe përzgjedhja e programit dhe bashkëpunimet ndërkombëtare të këtij edicioni. Duke vendosur në qendër të vëmendjes zërin e fëmijëve palestinezë dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi përtej kufijve, Prizren Fest dëshmoi se festivali nuk është strehë për arratisje, por një platformë për transformim shoqëror përmes artit”, thuhet në komunikatë.
Tutje, organizatorët e festivalit shprehën mirënjohje të thellë për trupën nga Palestina dhe për të gjithë kolegët artistë që kontribuan në realizimin e këtij edicioni, “me shpresën që vitin e ardhshëm të jemi ne që do të ngjitemi në skenat e Palestinës për të ndarë artin tonë, për të dëshmuar, dhe për të ndërtuar më tej solidaritetin mes popujve tanë”.
“Prizren Fest 2025 u konfirmua si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, jo vetëm për cilësinë artistike, por edhe për angazhimin e tij të palëkundur në mbrojtje të vlerave humane. Sepse arti nuk është vetëm pasqyrë e realitetit, ai është mjet për ta sfiduar dhe ndryshuar atë”, përfundon komunikata.