Prokuroria Themelore në Prizren të hënën ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Arlind Sylës dhe Irfan Hotit, të cilët dyshohen se shkaktuan aksidentin në garat automobilistike, ku humbën jetën N.B., M.D., dhe L.S.
Në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se rreth orës 22:30 të datës 16 dhjetor 2023 në autostradën “Ibrahim Rugova”, duke u marrë vesh paraprakisht për organizim të kundërligjshëm të garave automobilistike ku duke lëvizur paralelisht mes vete me shpejtësi të madhe, kur i pandehuri i dytë i afrohet me veturë të pandehurit të parë, ky i fundit e humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit, kështu të dyshuarit shkaktojnë aksidentin ku goditen për vdekje tre viktimat.
“… me ç‘rast duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi të jashtëzakonshme, i pandehuri i dytë (Irfan Hoti) me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë (Arlind Syla), me ç‘rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës me ç‘rast e godet veturën “VW Golf” me targa…., e cila ishte e ndaluar në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët- viktimat N.B, M.D dhe L.D, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës…”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Po ashtu, thuhet se dy të dyshuarit Hoti dhe Syla, me këtë rast iu kanë shkaktuar lëndime trupore edhe të dëmtuarve M.Z, S.Z dhe B.P, të cilët ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës automobilistike mes të pandehurve.