Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, dhe B.H., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 par. 2 nën par.2.2 lidhur me par.1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., me datë 24.03.2024, rreth orës 02:40 min, në rrugën ‘’Gazmend Zajmi’’ në Prizren, me dashje tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin I.B., në atë mënyrë që rastësisht takohen me të dëmtuarin në një furrë buke në rrugën “Rifat Ukimeri” në Prizren, dhe aty si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëparshme, të njëjtit shahen dhe fjalosen, e në momentin kur fillojnë të shtyhen fizikisht, ndërhynë për t’i ndarë dëshmitari V.L., (pronari i furrës) dhe i pandehuri i dytë B.H., me ç’rast arrijnë t’i ndajnë dhe t’i nxjerrin jashtë lokalit.
Më pas dy të pandehurit, largohen me automjetin e tyre, dhe nisen në drejtim të rrugës “Gazmend Zajmi”, ku nga pas u vihet i dëmtuari I.B., me veturën e tij, e në udhëkryqin e rrugës, i dëmtuari u del përpara me veturë, në atë moment i pandehuri E.K., dhe i dëmtuari I.B., dalin nga automjetet, i pandehuri i pajisur me një mjet të mbrehtë – thikë, i shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarit I.B.





