Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër tetë personave, përfshirë zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të kompanive private, për përfshirje në keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik.
Të akuzuarit Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., dhe B.J. ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa D.N. akuzohet për “Mashtrim në prokurim publik”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 4 gusht 2022, të pandehurit në cilësinë e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e ofertave në tenderin “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës së Prizrenit”, kanë rekomanduar lidhjen e kontratës me vlerë 550 mijë euro me grupin e operatorëve ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.T. Sh.P.K.”, përkundër faktit se pesë ofertues të tjerë kishin çmime mesatare dukshëm më të ulëta — rreth 203 mijë euro më pak.





