Një rast jo fort i zakontë i dhunës në familje ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së enjtes në rrugën “Rexhep Kabashi”, në Prizren. Mësohet se një grua 36-vjeçare ka vendosur ta denoncojë në Polici bashkëshortin e saj për dhunë në familje. Por para se të shkojë në stacion policor, ajo ka bërë një veprim, përmes së cilit ka tentuar që ta ndalojë ikjen e bashkëshortit të saj nga duart e Policisë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima e ka mbyllur të dyshuarin në banesë, duke mos i lënë çelës, derisa i njëjti ka qenë me një grua tjetër. Dy fëmijët i ka marrë me vete dhe është nisur për në Polici.
Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve, viktima ka thënë se është në muajin e 5-të të shtatzënisë dhe që një kohë është duke përjetuar dhunë fizike e psikike, çka po i shkakton asaj frikë e shqetësim për të bashkëjetuar me të dyshuarin.





