Sot, 24 janar, pritet t’u caktohet masa e sigurisë 109 të arrestuarve për manipulim me vota në Komunën e Prizrenit nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Gjykata Themelore në Prizren do të nisë pasdite seancën për masën e sigurisë ndaj tyre.
109 persona u arrestuan të premten për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, presion e kanosje dhe dhënie e marrje të ryshfetit. Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, mbi 40 mijë vota janë shtuar e mbi 27 mijë janë hequr.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë një ditë më parë se manipulimi me vota nuk do të ishte i mundur pa kompromis midis komisionerëve të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike.
“Në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim që ka dalë e pakeqpërdorur. Në Komunën e Prizrenit, 40,497 vota janë shtuar e janë hequr 27,520 vota. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota”, ka thënë Kryeziu.
