Zotëriu i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Samitin që organizohet nga Zonja e Parë amerikane, Melania Trump.
Në njoftimin e Presidencës së Kosovës thuhet se Sadriu e ka pranuar ftesën nga Melania Trump, për këtë samit që do të mbahet në muajin mars.
“Samiti do t’i dedikohet iniciativës së Zonjës së Parë Melania Trup ‘Fostering the Future Together’, të cilës Kosova iu bashkua në shtator 2025.”- thuhet mes tjerash në njoftimin e Presidencës.
Sipas Presidencës, kjo nismë e Shtëpisë së Bardhë do të vërë në dispozicion teknologji të avancuara, duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale, për të mbështetur fëmijët, prindërit e edukatorët.
E tërë kjo për të siguruar mbrojtjen e të rinjve nga rreziqet online.
Në njoftim thuhet se kompanitë më të mëdha botërore të teknologjisë janë zotuar që të ofrojnë këto mjete pa kosto ose me kosto shumë të ulët për Kosovën dhe vendet tjera pjesëmarrëse.
“Iniciativa e Zonjës së Parë Trump lidhet edhe me prioritetet e Presidentes Osmani për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga rreziqet digjitale si dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative në përputhje me interesat e fëmijëve. Presidenca e Kosovës do të kontribuojë me angazhim konkret në mbështetjen e kësaj iniciative, nëpërmjet planeve që tashmë i janë prezantuar Administratës së Presidentit Trump.”- thuhet tutje në këtë njoftim.
Presidenca deklaron se pjesëmarrja në këtë samit, nënvizon angazhimin në fuqizimin e aleancës me SHBA-të, për të avancuar zhvillimin e gjeneratës së re, mirëqenien e për të forcuar partneritetin strategjik me këtë vend.

