Këshilli i Prindërve të Kosovës, nesër do të mbajë një takim ku pritet të vendosët për hapat e mëtutjeshëm që nga dita e hënë fëmijët të kthehen në shkolla. Ndërkohë, drejtues të Sindikatës së Arsimit kanë bërë të ditur që greva do vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.
Përkundër kërkesës së përfaqësuesve të institucioneve dhe prindërve për ndërprerje të grevës, ajo po vazhdon ende. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, tha për Radio Kosovën se të shtunën do të mbahet një takim i Këshillit të Prindërve dhe nëse deri atëherë nuk ka ndonjë lëvizje nga ana e Qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit, Këshilli do të marrë vendim për hapat e mëtutjeshëm që fëmijët nga dita e hënë të kthehen në shkolla.
“ Siç jeni njoftuar, nesër do të mbahet një takim i Këshillit të Prindërve për të shqyrtuar situatën dhe për të marrë vendim për hapa konkretë për kthimin e fëmijëve në shkolla që nga dita e hënë. Për këto detaje do të njoftojmë me kohë, por deri atëherë do të shohim mos ka ndonjë lëvizje në kuptimin e ndërprerjes se grevës dhe rikthimit të fëmijëve në shkolla”, tha Demi.





