Filmi “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli, fitues i trefishtë në festivalin Sundance, do të jetë filmi që hap edicionin e 13-të të PriFest. Ndërsa filmi i mbylljes, një tjetër film vendor i suksesshëm, “Në kërkim të Venerës (Looking for Venera)” i regjisores Norika Sefa.
Shfaqjet në PriFest njëherësh do të jenë premiera kosovare të këtyre dy filmave.
Filmi ‘Zgjoi’ flet për Fahrijen, një grua burri i të cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë, nis një biznes të vogël bujqësor për të siguruar familjen e saj në një mjedis tradicional patriarkal ku ambicia e saj për fuqizimin nuk shihet si një gjë pozitive.
Biznesi i saj fillon mirë pavarësisht nga bletët në kosheret e saj, të cilat duket se janë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në udhëtimin e saj për të bërë paqe me bletët, ajo fillon të bëjë edhe paqe me veten e saj, kështu që ajo mund të jetojë dhe të fuqizojë veten në një situatë të re për të përballur me një realitet shumë armiqësor.
Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducentë Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.
“Zgjoi“ me producent Yll Uka, është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa një film tjetër kosovarë, gjitashtu tashmë me sukses ndërkombëtarë (fitues i cmimit në Rotterdam), “Në kërkim të Venerës” i regjisores Norika Sefa do të jetë filmi përmbyllës i festivalit.
“Nga një takim i çuditshëm, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e sajë patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kurreshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë.
Derisa Venera persiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shprehë një sens absurd të jetës: Me njerëz që fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi. “Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.
“Në kërkim të Venerës” me producent Besnik Krapin, është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Të dy këta filma janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
PriFest do të mbajë edicionin e 13-të me datat 24-29 gusht. Programi i plotë i filmave të përzgjedhur në gjitha kategoritë e festivalit do të shpaloset në ditët në vijim.