LAJME

“Preu kordonin e foshnjës dhe e hodhi atë në koshin e mbeturinave”, Spitali jep detaje të vdekjes së foshnjës në Ferizaj

“Preu kordonin e foshnjës dhe e hodhi atë në koshin e mbeturinave”, Spitali jep detaje të vdekjes së foshnjës në Ferizaj
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Maj 2026, 11:28

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka bërë të ditur detajet lidhur me rastin e ndodhur më 06.05.2026 në hapësirat e Shërbimit Emergjent.

Sipas njoftimit thuhet se pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.

“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike” – thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë.

“Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore. Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës”.

Siç thuhet në njoftim foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit.

“Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë iniciuar hetimet. Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave të mëtejshme hetimore”.

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe respektimit të privatësisë së palëve të përfshira, për momentin nuk mund të ofrohen detaje shtesë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika