Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, pasi falënderoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që ka pranuar ftesën për vizitën shtetërore, vlerësoi lart lidhjen e vendit të saj me Kosovën.
Në një konferencë për media pas takimit, presidentja zvicerane ka deklaruar se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë Kosovën. Ajo përmendi edhe rolin e diasporës shqiptare në thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve mike.
“Kosova është një vend i ri, më i ri i Evropës, por kontaktet kanë që na lidhin kanë një të kaluar. Në vitet e gjashtëdhjeta punëtorët kosovarë erdhën në Zvicër, më vonë edhe refugjatë që gjetën një shtëpi të re te ne. Sot Zvicra nuk mund të paramendohen pa njerëz me prejardhje nga Kosova. 160 mijë deri në 250 mijë, pavarësisht se si i numëroni. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e vendit tonë gjatë dekadave të fundit… Zvicra do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj”, tha ajo.
Presidentja Karin Keller-Sutter bëri të ditur se me presidenten Vjosa Osmani kanë biseduar edhe për marrëdhëniet ekonomike, për çështjen e migracionit dhe për projekte me të cilat Zvicra mbështet demokracinë dhe paqen.
Paqja e qëndrueshme në rajon dhe një perspektivë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimore, për Zvicrën kanë prioritet të lartë, sipas presidentes Keller-Sutter.
Ajo tha se siguria në Ballkanin Perëndimor është parakusht për sigurinë në përgjithësi në Evropë, teksa shtoi se duhet kujdesur që të mos ndizen vatra të reja të krizave.
“Ne flasim shpesh për luftën në Ukrainë, por duhet të kujdesemi që vatrat e krizave në vendet e tjera të mos ndizen prapë. Siç e dini, Zvicra është prezente në kuadër të KFOR-it dhe do të mbetet kështu derisa të jetë e nevojshme”, tha Keller-Sutter.
Tutje, ajo tha se Zvicra e ka mbështetur gjithmonë Kosovën në rrugën e saj për anëtarësim në organizata multilaterale.
“Zvicra në përgjithësi e ka mbështetur Kosovën gjithmonë në organizatat multilaterale dhe kisha thënë se edhe gjatë përgatitjes së rrugëtimit në këto organizata, ne bashkëpunimin drejt demokracisë dhe sundimit të drejtësisë i kemi dhënë mbështetje”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Zvicrës, ku është pritur me nderimet më të larta shtetërore.
Në fjalimin e mbajtur në Pallatin Federal të Zvicrës, presidentja Osmani tha se Zvicra u bë avokat i fuqishëm për lirinë e Kosovës dhe për shumë qytetarë të Kosovës, të cilët gjatë luftës gjetën strehë në këtë vend.
“Këtu në Zvicër, shumë nga përpjekjet për lirinë e Kosovës gjetën përkrahje dhe mbrojtje dhe ne asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë”, theksoi presidentja Osmani./kp/