Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, ku ka folur për rëndësinë e ndërtimit të një sistemi shëndetësor cilësor, të sigurt dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, presidentja theksoi se qytetarët presin trajtim të duhur dhe me dinjitet sa herë që kanë nevojë për shërbime mjekësore.
“Kur një qytetar kërkon ndihmë mjekësore, ai pret ta marrë shërbimin e duhur, në kohën e duhur dhe me kujdesin e duhur, pret të dëgjohet, të trajtohet me dinjitet dhe të ndihet i sigurt”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Shiroka Pula ka theksuar se besimi i qytetarëve në institucionet shëndetësore ndërtohet përmes shërbimeve cilësore, të sigurta dhe të qasshme.
“Besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor ndërtohet nëpërmjet shërbimeve të sigurta, të qasshme dhe cilësore”, ka thënë ajo.
Gjatë kësaj konference, presidentja ka vlerësuar edhe mbështetjen e Zvicrës për zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Ajo ka shprehur bindjen se kjo konferencë do të krijojë mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërkombëtare, duke theksuar se pacientët duhet të jenë në qendër të çdo investimi dhe reforme në shëndetësi.
“Jam e bindur se kjo konferencë do të shërbejë si hapësirë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, ideve dhe praktikave të mira”, është shprehur presidentja.
Në përfundim, Shiroka Pula ka nënvizuar rëndësinë që ka shëndetësia për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e shtetit.
“Sistemi shëndetësor i fortë është themel i një shteti të fortë dhe i një shoqërie me qytetarë të shëndetshëm”, thuhet në njoftimin e Presidencës.





