Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se një pjesëtar i saj ka marrë lëndime të lehta gjatë trajnimit në një nga poligonet e saj.
Lëndimi raportohet se ka ndodhur para pak muajsh.
Sqarimi i FSK-së vjen pas publikimit të një videoje në disa media në Kosovë, ku shihet një ushtar i FSK-së që lëndohet derisa gjuan gjatë stërvitjeve. Atij i shpërthen arma.
“Sa i përket njoftimeve nga mediat lidhur me lëndimin e lehtë të një pjesëtari të FSK-së, gjatë trajnimit ju informojmë që rasti ka ndodhur më herët në një nga poligonet e FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë realizimit të trajnimeve me municione ballafaqohet me rrezikshmëri të lartë dhe merr paraprakisht të gjitha masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut, duke përfshirë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
FSK-ja ka thënë se në secilin aktivitet të saj, konform procedurave i bashkëngjiten edhe ekipet mjekësore.
“Të gjitha masat e sigurisë janë në linjë me standardet e sigurisë të FSK-së, njëjtë sikur ato të NATO-s. FSK është e vetëdijshme që profesioni ushtarak përbën në vete një rrezikshmëri të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor, megjithatë në relacion me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël për shkak të masave të sigurisë në menaxhimin e rrezikut. Njëkohësisht, FSK mbetet e përkushtuar që vazhdimisht të rrisë sigurinë dhe garantojë ruajtjen e personelit”, thuhet në sqarim.





