Autoritetet egjiptiane kanë futur zyrtarisht 35 organizata, institucione dhe shoqata islame që veprojnë në Evropë në listën kombëtare të entiteteve terroriste, ku në mesin e tyre figuron edhe një organizatë me bazë në Kosovë.
Vendimi është marrë nga Gjykata Penale e Kajros. Lista përfshin gjithashtu edhe 36 individë. Masa do të jetë në fuqi për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas “EgyptToday”, në mesin e listës që janë shpallur organizata terroriste është Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Edukim me bazë në Kosovë.
Në krye të listës qëndron Këshilli i Myslimanëve Evropianë me të gjitha degët e tij, i ndjekur nga Këshilli Evropian për Fetva dhe Kërkime, Këshilli Evropian i Imamëve dhe Instituti Evropian i Shkencave Humane. Po ashtu, në listë janë përfshirë edhe shoqatat kombëtare islame në Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Zvicër, Itali, Suedi, Austri, Belgjikë dhe vende të tjera evropiane.
Sipas legjislacionit egjiptian kundër terrorizmit, futja në këtë listë sjell ndalimin e menjëhershëm të çdo aktiviteti të këtyre subjekteve brenda Egjiptit, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e financimit apo mbledhjes së fondeve në emër të tyre.
Megjithatë, ky klasifikim ka fuqi ligjore vetëm brenda juridiksionit të shtetit egjiptian dhe nuk nënkupton automatikisht ndonjë masë të ngjashme nga Bashkimi Evropian, Kosova apo shtetet e tjera evropiane ku këto organizata janë të regjistruara dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Lista e organizatave që janë shpallur terroriste:
- Këshilli i Myslimanëve Evropianë (Council of European Muslims) – përfshirë degët e tij (në mbarë Evropën)
- Këshilli Evropian për Fetva dhe Kërkime (European Council for Fatwa and Research) (në mbarë Evropën)
- Këshilli Evropian i Imamëve (European Council of Imams) (në mbarë Evropën)
- Këshilli Evropian për Familjen Myslimane (European Council for the Muslim Family) (në mbarë Evropën)
- Këshilli Evropian për Kuranin e Shenjtë (European Council for the Holy Quran) (në mbarë Evropën)
- Këshilli Evropian për Gratë Myslimane (European Council for Muslim Women) (në mbarë Evropën)
- Forumi Evropian i Studentëve Islamikë (European Islamic Students Forum) (në mbarë Evropën)
- Instituti Evropian i Shkencave Humane (European Institute of Human Sciences) – përfshirë degët e tij (në mbarë Evropën)
- Shoqata Kulturore “Al-Mustaqbal” – Shqipëri
- Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Edukim – Kosovë
- Shoqata e Rinisë Islame – Maqedonia e Veriut
- Shoqata “AKOS” për Edukim dhe Kulturë – Bosnjë dhe Hercegovinë
- Myslimanët e Francës (Muslims of France) – Francë
- Shoqata Myslimane e Britanisë (Muslim Association of Britain) – Mbretëria e Bashkuar
- Komuniteti Islamik Gjerman (German Islamic Community) – Gjermani
- Lidhja Myslimane Zvicerane (Swiss Muslim League) – Zvicër
- Shoqata Islame në Itali – Itali
- Kompleksi Kulturor Islamik – Austri
- Lidhja Myslimane e Belgjikës – Belgjikë
- Shoqata Islame Holandeze – Holandë
- Shoqata Islame për Dialog dhe Bashkëjetesë – Spanjë
- Shoqata Islame Irlandeze – Irlandë
- Shoqata Islame në Suedi – Suedi
- Këshilli Islamik Danez – Danimarkë
- Shoqata Islame në Norvegji – Norvegji
- Shoqata Islame në Finlandë – Finlandë
- Shoqata Islame në Poloni – Poloni
- Unioni i Studentëve Myslimanë – Republika Çeke
- Shoqata Myslimane e Hungarisë – Hungari
- Shoqata Islame dhe Kulturore – Rumani
- Qendra Arabo-Greke për Kulturë dhe Qytetërim – Greqi
- Shoqata Kulturore Islame “Al-Salam” – Moldavi
- Këshilli i Myslimanëve të Ukrainës – Ukrainë
- Unioni i Organizatave Islame në Rusi – Rusi
- Shoqata “Al-Hikma” për Shkencë, Miqësi dhe Bashkëpunim – Turqi