LAJME

Presidentja s’e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, pa konsultime

Presidentja s’e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, pa konsultime
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Prill 2022, 16:44

Zyra e Presidentes, të premten e 8 prillit, e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.

Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

Zyra e Presidentes ka konfirmuar se, duke e ditur rëndësinë e këtij procesi, po shqyrton dhe analizon dokumentacionin e pranuar, si dhe të gjitha faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë proces.

“Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”.

E para e shtetit, Vjosa Osmani, ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të jetë me integritet.

“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”.

Procesi i përzgjedhjes së Blerim Isufajt për këtë post është përcjellë me reagime të ashpra nga organizatat që e kanë monitoruar këtë proces, përfshirë edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika