Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka uruar qytetarëve të Kosovës “shëndet, lumturi dhe begati” për Vitin e Ri 2025.
Në urimin e saj, e para e shtetit ka thënë se viti 2024 nuk ka qenë gjithnjë i lehtë dhe se është përcjell me sfida, nga ato ekonomike e deri te ato të sigurisë.
“Por, ne kemi qëndruar të vendosur, krah për krah, duke i kapërcyer pengesat me vendosmëri të palëkundur. Këto sfida na kujtojnë përgjegjësinë që kemi për të ruajtur shtetin, sovranitetin e shtetit tonë dhe paqen tonë për brezat e ardhshëm” – ka shkruar Osmani, më 31.12.2024.
Pavarësisht situatave jo të lehta, sipas saj, populli ka dëshmuar edhe njëherë qëndrueshmëri dhe përkushtim për të trasuar rrugë të reja e për të eliminuar pengesat në rrugëtimin kolektiv.
“Këtë e dëshmuam më së miri edhe kur filmat tanë arritën në festivalin e filmit të Kanës e kur morëm Çmim Special në Bienale të Venecias; kur xhudistet tona fituan edhe dy medalje Olimpike në Lojrat Olimpike të Parisit, kur Kosova fitoi medalje të arta në festivale në Spanjë, e po kështu, kur korrëm suksese të vazhdueshme në fushën e Informacionit e Teknologjisë, e inovacionit e kur bizneset e Kosovës depërtuan në tregjet ndërkombëtare” – ka thënë Osmani.
Tutje, ajo ka shtuar se këtë vit e fuqizuan sektorin e sigurisë, krijuan miqësi të reja dhe siguruan pjesëmarrje e përfaqësim për Kosovën në forume, ngjarje e samite të mëdha e të rëndësishme botërore.
“Kosova, si një shembull i demokracisë më të zhvilluar në rajon, ka dëshmuar se me punë të palodhur dhe angazhim të vazhdueshëm mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e barabartë për të gjithë. Ëndrra jonë për një Kosovë edhe më të begatë, edhe me më shumë dinjitet, me mundësi edhe më të mëdha dhe mirëqenie për çdo familje vazhdon” – ka shtuar Osmani.
“Teksa po hyjmë në vitin 2025, ne do të vazhdojmë të ecim me hapa të sigurt për në familjen euroatlantike, duke siguruar të ardhmen tonë si kontribues për paqen, stabilitetin dhe demokracinë globale”, ka theksuar presidentja e vendit.
Osmani ka menduar edhe për qytetarët që për ndonjë arsye ose tjetër po e presin këtë vit të ri pa të dashurit e tyre pranë, për ata që po luftojnë fort për jetën, për punëtorët në vijën e parë të shërbimit si dhe me të gjithë heronjtë e heroinat e çdoditshëm të vitit që po e lëmë pas.
“Gjersa po përgatitemi të cakrojmë gotat, uroj që viti 2025 të sjellë paqe aty ku po sundon lufta; të sjellë qetësi ku nuk ka rehati; të sjellë shëndet aty ku ka ballafaqim me sëmundje, të sjellë siguri në shtëpitë nën kulmin e të cilave fatkeqësisht gjen strehë akoma dhuna; të sjellë barazi – barazi në mundësi, në përfaqësim; trajtim dhe respekt” – ka uruar Osmani.