Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar liderin e CDU, Friedrich Merz dhe atë të CSU, Markus Soeder për fitoren në zgjedhjet në Gjermani të mbajtura më 23.02.2025, ku ky koalicion u rendit i pari me rreth 30% të votave.
Përmes një postimi në rrjetin X, Osmani theksoi se pret me padurim thellimin e lidhjeve mes dy vendeve.
“Urime Bashkimit Demokratik Kristian (CDU), Bashkimit Social Kristian (CSU) dhe liderëve të tyre Friedrich Merz dhe Markus Soeder për fitoren në zgjedhjet federale të Gjermanisë. Vendet tona ndajnë histori të gjatë marrëdhëniesh të shkëlqyera dhe mezi pres të thellojmë lidhjet tona të ngushta në vitet në vazhdim”- shkroi Osmani





