Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët e besimit ortodoks për festën e Krishtlindjes.
Osmani në urimin e saj ka thënë se në situatën në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, nevojitet solidariteti, duke e konsideruar ngadhënjimin ndaj pandemisë si rilindje për njerëzimin.
“Të dashur qytetarë të komunitetit ortodoks, festat ngjallin shpresën për një të ardhme më të mirë. Sikurse krejt bota, edhe ne po përballemi me pandeminë, ndaj na duhet solidariteti, duke e konsideruar ngadhënjimin ndaj pandemisë njëlloj rilindje për njerëzimin. Kjo festë sjelltë në shtëpitë tuaja gëzim! Drita, dashuria dhe shpresa e pakufishme bashkoftë njerëzit në çdo shtëpi në pritje të ditëve më të mira”, thuhet në urimin e Osmanit, njofton Presidenca.
Festën e Krishtlindjeve ortodokse e ka uruar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook, tha se shpreson që paqja e harmonia të mbizotërojë sot e çdoherë.
“Gëzuar Krishtëlindjen ortodokse të gjithë besimtarëve. Paqja dhe harmonia ju përcjellshin sot e për mot!”, ka shkruar Rama.