Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama.
“Pasi që i ka uruar ambasadorit të ri japonez mirëseardhje dhe suksese në mandatin e tij, Presidentja Osmani ia përcolli gjithashtu urimet e përzemërta me rastin e ditëlindjes së Perandorit Naruhito të Japonisë, e cila sot shënohet nga Ambasada e Japonisë në pritjen e organizuar për nder të kësaj dite”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës në Facebook.
Tutje, në njoftim thuhet se gjatë takimit, presidentja Osmani e vlerësoi Japoninë si një partner strategjik afatgjatë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, veçanërisht përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).





