LAJME

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës në Kosovë, Olga M. Sauma Uribe

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës në Kosovë, Olga M. Sauma Uribe
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Shkurt 2026, 13:25

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Republikës së Kosta Rikës në Republikën e Kosovës, Olga M. Sauma Uribe.

Me këtë rast, presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i ambasadores do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi dhe veçanërisht në turizëm. Në këtë kontekst, presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit midis qytetarëve tanë, bizneseve, si dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Në përmbyllje, presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Kosta Rikën dhe me shtetet e tjera të Amerikës Latine në avancimin e prioriteteve të përbashkëta për paqe, demokraci dhe zhvillim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika