LAJME

Presidentja Osmani: Kurti u zotua që do të më përkrahte, më tha: “Je presidentja më e mirë e shek. XXI”

Presidentja Osmani: Kurti u zotua që do të më përkrahte, më tha: “Je presidentja më e mirë e shek. XXI”
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Mars 2026, 20:47

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka pasur zotimin e kryeministrit Albin Kurti për kandidimin e saj si presidente e Kosovës.

Osmani në një intervistë për “Syri TV” tha që kryeministri Kurti kishte pasur vlerësim tejet të mirë për të dhe se pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, Kurti kishte diskutuar me të rreth rikandidimit për presidente.

“Arsyeja pse unë në fund të vitit të kaluar kam dalë publikisht duke thënë që synoj, gjithmonë nëse është vullneti i deputetëve, ka qenë vullneti i popullit sepse më kanë kontaktuar çdo ditë që unë të rikandidoj. Arsyeja e dytë ka qenë zotimi i vetë kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se do të më përkrahte. Kjo ka ndodhur gjatë diskutimeve tona edhe pas zgjedhjeve. Ne kemi diskutuar që të vazhdojmë këtë rrugëtim bashkë si binomi që i dha shpresë Kosovës. Ai ka vlerësuar punën time duke thënë që “je presidentja më e mirë në shekullin XXI”. Këtë vlerësim e ka thënë edhe pas zgjedhjeve. Arsyeja e tretë ka qenë hapja e një kapitulli të ri me Shtetet e Bashkuar të Amerikës”- tha Osmani.

“Ne kemi diskutuar dhe pas zgjedhjeve. Dhe më ka thënë që i kemi 57 vota dhe do të jetë problem por e kemi diskutuar që duhet të punojmë dhe me opozitën. Gjë që e kam bërë. Kam biseduar individualisht me disa deputetë, duke përfshirë edhe deputetë të LDK-së, dhe nga partitë e tjera të vogla dhe 80 deputetë që do të qëndronin në sallë do të bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozohesha dhe të kisha përballë një kundërkandidat formal, jam e bindur që Kosova sot do të kishte president”- tha presidentja Osmani.

E pyetur se çka ndodhi tutje, pse Kurti nuk e propozoi si kandidate për presidente, Vjosa Osmani tha se “nga kryeministri Kurti me erdhi një vlerësim i ri që grupi parlamentar i LVV-së dhe ai personalisht nuk më përkrah”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika