Presidentja Vjosa Osmani do t’i presë të hënën në takim përfaqësuesit e subjekteve politike, për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. KOHA ka pyetur Presidencën për orën e takimit, por ende s’ka marrë përgjigje.
Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si vazhdimësi e veprimeve të Listës Serbe e cila po kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.
Ky veprim i ka hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna, meqë sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mandati i çdo kryetari të komunës merr fund me dorëheqjen e tij.
Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.
Dorëheqjet, që u bënë më 5 e 6 nëntor, janë dorëzuar më pas edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të presë vendimin e presidentes. Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, tha ditë më parë se përgatitjet për zgjedhje bëhen pasi ato të shpallen nga presidentja.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës. KQZ-ja pret shpalljen e zgjedhjeve para se të fillojë me përgatitjet intensive të tyre. Sikurse në të kaluarën një nga hapat e parë që ndërmerr KQZ është miratimi i planit operacional ku listohen të gjitha aktivitetet që duhet të kryhen nga ana e KQZ për të organizuar një proces zgjedhor”, tha ai./KSP