Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për gjendjen politike në vend dhe gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datë 26.06.2025.
Osmani ka treguar që në këtë fazë ajo nuk mund të dërgojë vendin në zgjedhje.
“Unë i kam takuar liderët e partive, e me disa jam edhe në komunikim të vazhdueshëm. Nuk është roli i asnjë presidenti që të negociojë koalicione, e kam të ndaluar me Kushtetutë. Në këtë fazë presidentja nuk mund ta dërgojë vendin në zgjedhje” – tha ajo.
“Kjo mund të ndodhë nëse shpërndahet Kuvendi, pas konstituimit e në raste të tjera. Në negocim mes partive unë nuk kam të drejtë. Unë vetëm mund t’i bëj thirrje duke përmendur dëmin dhe rreziqet për Republikën e Kosovës. Edhe për këtë afat kushtetues, nëse nuk respektohet duhet të ketë pasoja juridike” – ka deklaruar Osmani.
Ajo ka shtuar se nuk po flet për pasoja penale por për atë se çfarë ndodh me institucionet që mund të formohen pas këtij afati.
“A nënkupton kjo që një Kuvend i konstituuar pas këtij afati është jokushtetues?” – deklaron Osmani duke thënë se janë çështje që duhet të sqarohen.
Tutje ajo ka thënë se janë duke përgatitur lëndë për Gjykatën Kushtetuese.
“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese, e nëse edhe gjatë vikendit nuk ka institucione, në fillim të javës do e dërgojmë në Kushtetuese për sqarime por nuk mund të paragjykojmë se sa kohë mund t’i duhet Gjykatës e që mund të futemi në një krizë që nuk kemi qenë më herët” – ka shtuar Osmani./Kallxo.com/