Presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave futbollistët e Kosovës, pavarësisht humbjes nga Turqia të martën mbrëma në finalen e plejofit për kualifikim në Botëror.
Kosova u mposht me rezultat minimal në “Fadil Vokrri”.
Megjithatë, Osmani ka thënë se futbollistët e kanë bartur me krenari fanellën e Kosovës dhe i ka përgëzuar për rrugëtimin e tyre.
Osmani ka thënë se dekorata u ndahet për shkak të përfaqësimit dinjitoz të shtetit në arenën ndërkombëtare.
“Pavarësisht rezultatit, ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë për krenarinë që i keni bërë popullit tonë. Prandaj, në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë. Kontributi juaj është pjesë e pandashme e historisë sonë sportive dhe mbi të gjitha frymëzim i fuqishëm për brezat që vijnë. Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Kombëtaren e Republikës në Futboll ta dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacionin: Për përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare; Për krenarinë që i kanë dhënë shtetit tonë; Si dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Dhe jo vetëm me shpresën, por me besimin e plotë që rruga përpara do të jetë edhe shumë e shumë më e ndritshme. Të nderuar përfaqësues të Kombëtares, duke e ditur që shumica e lojtarëve tashmë janë rikthyer në vendet ku punojnë dhe ku luajnë, jam e nderuar që ju kemi sot si përfaqësues nga institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës që ta pranoni këtë dekoratë në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilëve ju keni dhënë emocione dhe krenari pa fund”, ka thënë ajo.
Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, trajneri i Kosovës, Franco Foda dhe futbollistët Vedat Muriqi e Valon Berisha.
Kapiteni në këto ndeshje, Vedat Muriqi, ka thënë se fati nuk e ka përcjellë Kosovën në ndeshjen ndaj Turqisë.
“Kështu që, po shpresojmë në të ardhmen se kemi një gjeneratë shumë të mirë, një gjeneratë e artë po vjen, akoma nuk e kemi arritur gjeneratën e artë. Unë jam shumë krenar me veten që jam pjesë e stafit të Kosovës. Si Kapiten i Kosovës – kisha pasë shumë, shumë dëshirë me e udhëheq ekipin në Amerikë, por ja, ndonjëherë fati nuk të përcjell. Kështu që, ju falënderoj të gjithëve, në emër të ekipit, edhe shpresoj që tjetrën radhë do të jemi në një kualifikim Evropian ose Botëror”, ka thënë Muriqi./KOHA