Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën, për kontributin e dhënë në raportet mes dy vendeve dhe përkrahjen gjatë të gjitha proceseve që ka kaluar Kosova.
Në konferencë për media pas takimit që zhvilluan, Osmani përmendi marrëveshjet e nënshkruara nga të dyja qeveritë dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të tyre.
Ndërsa, objektiv të qartë e theksoi anëtarësimin në strukturat euroatlantike.
“Agjenda jonë institucionale mbetet e fokusuar në konsolidimin e pozicionit tonë si vend sovran e i pavarur dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Objektiv i yni i qartë i popullit të Kosovës mbetet anëtarësimi në struktura euroatlantike, BE dhe NATO. Kosova po përgatit aplikacionin e saj për status të vendin kandidat në BE deri në fund të këtij viti. Sa i përket NATO-s është e rëndësishme të bëjmë hapa përpara, pasi fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s ka krijuar siguri më të madhe në gjithë rajonin. Kur Kosova të anëtarësohet do të rritet niveli i sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha ajo.
Osmani përsëriti se Kosovën dhe Shqipërinë më së shumti e bashkon e ardhmja euroatlantike./koha.net/