Ngërçi në Kuvendin e Kosovës është vazhduar edhe në përpjekjen e gjashtë për ta konstituar Legjislaturën e Nëntë. E, përderisa partitë politike nuk po gjejnë kurrfarë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë, as oferta për konsultime me Presidenten ende nuk është shfrytëzuar.
Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes Vjosa Osmani, tha se e para e vendit është e gatshme që t’i pres në konsultime, por një gjë e tillë ende nuk është kërkuar nga askush.
“Presidentja Osmani u ka ofruar partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë që kurdo që ata e shohin të nevojshme, ajo mund t’i presë për konsultime. Deri tani asnjë nga partitë nuk ka kërkuar involvimin e Presidentes”- tha Kupina për KALLXO.com.
Një gjë të tillë, Osmani e kishte thënë edhe në letrën që ia ktheu kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, më 16.04.2025. Në përmbyllje të asaj letre, Osmani kishte ftuar që nëse është nevoja e mirëpret Deharin dhe Kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara.
Përderisa kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu nuk po arrin të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare për katër herë sa doli në votim, nga partitët e opozitës së kaluar po ngulmohet që të ndërrohet kjo kandidate me arsyetimin se nuk do ia japin votën. Mirëpo, Vetëvendosje këmbëngulin që nuk heqin dorë nga ky emër.
Në katër votime në ditë të ndryshme, Haxhiu nuk arriti të marrë 61 vota “për”, por vetëm 57 sosh, duke vazhduar kështu një zvarritje për zgjedhjen e Kryetarit pa të cilin as nuk i hapet rruga zgjedhjes së Nënkryetarëve dhe nuk zihet se është konstituar Kuvendi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në lidhje me konsultimet me Presidenten, tha se para së të vijë puna që të ndodhë një gjë e tillë, LVV-ja duhet t’i thërrasë mendjes për një zgjidhje.
“Nuk dua të hyjë në interpretime kushtetuese të mandatit të Presidentes, por e vërteta është që Presidentja megjithatë përtej dispozitave konkrete legale kushtetuese ka edhe mandat që me siguru unitetin qytetar. Situatën nuk e paragjykoj dhe nuk dua që përgjigja ime të tingëllojë as si ftesë as si thirrje, as si pengesë për një gjë të tillë. Por ndryshe prej Kryeministrit, Presidentja është në mandat ligjor, kushtetues dhe ka kompetencën që ia garanton Kushtetuta”- tha Krasniqi më 25.04.2025.Edhe pse po mblidhen çdo 48 orë, deputetët po vazhdojnë me të njëjtat qëndrime, deklarime të njëpasnjëshme, por pa asnjë zgjidhje që vendi të dalë nga kjo bllokadë.Me thirrjen e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, deputetët e kanë për obligim që të mblidhen për vazhdimin e seancës jo më larg se 48 orë nga ndërprerja e saj dhe të procedojnë tutje. Kushtetuta nuk e përcakton ndonjë afat se brenda sa ditësh apo muajsh pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve apo pas betimit të deputetëve duhet të konstituohet Kuvendi. Por, Rregullorja e re e Kuvendit e definon që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. Por, pa konstituimin e Kuvendit nuk ka se si të nisë numërimi i ditëve për zgjedhjen e Qeverisë së re.